Bursa e energjisë, numri i anëtarëve shkon në 16, bashkohet edhe Devoll Hydropower

  • Home
  • Bursa e energjisë, numri i anëtarëve shkon në 16, bashkohet edhe Devoll Hydropower
Image

Numri i anëtarëve të Bursës Shqiptare të Energjisë ka arritur në 16 ku më i fundit në këtë proces është Devoll Hydopower pjesë e nordikëve të Statkraft.

Ecuria e anëtarësimeve që nga prilli kur nisi operimin platforma ka qenë e ngadaltë, por përfaqësuesit e kompanive private por edhe bursës kanë nënvizuar se duhet të plotësohen një sërë kushtesh për të qenë pjesë e këtij tregu. Devoll Hydropower është e para kompani nga tre më të mëdhatë në vend që kanë investuar në kapacitete të konsiderueshme dhe që në fund përfshihen te bursa.

Hidrocentralet mbi lumin Devoll janë projekti më i madh hidroenergjetik i 30 viteve të fundit i zbatuar në vend. Ai përfshin dy HEC-e të mëdha Banja dhe Moglica si dhe projektin për HEC Kokel. Të dy hidrocentralet e parë në funksion kanë kapacitet të instaluar prej rreth 256 Më dhe prodhim të parashikuar rreth 700 GWh/vit.

Ndërkohë që një tjetër projekt i Devoll Hydropower parashikon rritjen e kapacitetit edhe me 800 dhe 1600 MW me një investim shtesë që llogaritet në 900 milionë euro.

Lidhur me nisjen e operimeve të bursës të parat që mbyllen procesin e anëtarësimit më herët këtë vit ishin kompanitë publike dhe më pas kjo ka ardhur gradualisht me rritjen e numrit të privatëve. Pavarësisht nisjes së operimit sot në këtë bursë ende sot tregtohet një sasi modeste energjie.

Në tetor në këtë bursë u tregtuan në total 96.5 mijë MWh energji me një çmim mestar prej 107.79 euro. Kjo sasi mbetet e vogël teksa kompanitë publike për nevojat e tyre blerjen e energjisë vijojnë ta bëjnë përmes ankandeve të shpallura në faqet e tyre por që synimi është të shkohet drejt blerjeve në një platformë.

Pas nisjes së operimit tek synimet afatshkurta të Bursës ishte operacionalizimi i tregut të ditës në avancë për zonën e ofertimit të Kosovës dhe bashkimin e tregjeve të energjisë Shqipëri-Kosovë, si i pari projekt në Ballkanin Perëndimor.

“ALPEX do të prezantojë në muajin prill të vitit të ardhshëm tregun e ankandit brenda së njëjtës ditë, me tre ankande për Shqipërinë dhe në muajin qershor dhe bashkimin e tregut e ankandit brenda së njëjtës ditë me Kosovën, që është përsëri projekti i parë në WB6 (Ballkani Perëndimor).

Synimet e OST, së bashku me ALPEX, janë që bashkimi i tregjeve të kalojë në një dimension tjetër, atë me vendet e Bashkimit Europian dhe ne jemi në fillimin e një projekti midis Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, të udhëhequr nga Bursa greke e Energjisë, në mënyrë që të aksesojmë tregjet europiane të energjisë” do të konfirmonte më herët për “Monitor” administratori i OST Skerdi Drenova./N.Maho

Burimi: Revista Monitor